Reagon Franca: Veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës rrezikojnë perspektivën e heqjes së masave
Ministria e Punëve të Jashtme të Francës (MPJ) ka lëshuar një komunikatë për media për veprimet e Qeverisë së Kosovës dhe mbylljen e disa institucioneve paralele serbe nëpër disa komuna të Kosovës.
MPJ-ja e Francës ka thënë se Parisi zyrtar shpreh keqardhje për mbylljen e njëanshme, meqë një vendim i tillë ndikon negativisht në jetën e përditshme të popullatës serbe të Kosovës.
Gjithashtu, veprimet e tilla të Qeverisë Kosovës, ka theksuar se rrezikojnë përpjekjet për normalizim të raporteve me Serbinë në kuadër të dialogut.
“Franca shpreh keqardhjen për mbylljen e njëanshme nga qeveria e Kosovës më 15 janar të një numri të madh të strukturave administrative serbe në Kosovë, vendim i cili do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme të popullatës serbe të Kosovës. Kjo rrezikon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut nën patronazhin e Bashkimit Evropian”, është thënë në reagimin e MPJ-së të Francës.
Po ashtu, në këtë reagim është thënë se ky veprim i njëanshëm i Kosovës rrezikon perspektivat e heqjes së masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
“Ky veprim i njëanshëm rrezikon perspektivat e heqjes së masave kufizuese ndaj Kosovës. Franca bën thirrje për respektimin e angazhimeve të marra nga palët për të përparuar në zbatimin e marrëveshjes Bruksel-Ohër”, është në reagimin e Francës.