Ancelotti humb durimin: S’jam budalla, kjo është konferencë për shtyp, jo studio debati
Celta Vigo është rivali i radhës i Realit të Madridit, i cili pret ekipin galician në “Santiago Bernabeu” për të luajtur një ndeshje të vlefshme për Kupën e Mbretit.
Në prag të këtij takimi konferenca për shtyp e Carlo Ancelottit ka qenë një “show” më vete pasi trajneri italian është në pozita të vështira pas kritikave të marra në formë pyetjeje nga gazetarët.
Pyetjes nëse është lënduar nga ndonjë kritikë, trajneri italian u përgjigj: “Nuk u vë veshin atë çfarë thuhet apo shkruhet pasi një ditë je budallai më i madh tjetrën të bëjnë më të mirin e botës. Eksperienca e akumuluar ndër vite më jep ekuilibrin e duhur që të mos ndikohem nga ajo çfarë thuhet. Unë mendoj se nuk jam më i miri, por gjithashtu mendoj se s’jam as më budallai”.
Më tej gazetarët e pyetën se si mund të menaxhohej një situatë e tillë pas një humbjeje aq të thellë në Superkupë përballë rivalit historik.
“Futbolli prandaj është kaq i bukur pasi pas një takimi për tu harruar mund të bësh një të mirë dhe gjithçka lihet pas krahëve. Edhe ne kemi mundësi që të harrojmë gjithçka nëse nesër bëjmë një ndeshje të mirë përballë Celtës”, pohoi tekniku italian.