Albion Rrahmani ndër lojtarët më të shtrenjtë të Rapidit, i dyfishohet vlera në treg
Forma e jashtëzakonshme e sulmuesit Albion Rrahmani te Rapidi i Bukureshtit, ka bërë që çmimi i tij të dyfishohet në tregun e futbollit.
Mediumet rumune, kanë shkruar të enjten se çmimi i Rrahmanit ka shpërthyer prejse iu bashkua Rapidit nga Ballkani i Suharekës në afatin kalimtar të verës.
Aktualisht, vlera e Rrahmanit në treg është 1.2 milionë euro bazuar në faqen e specializuar për transferime “transfermarkt.de”, dyfishi i asaj që Rapidi pagoi për ta transferuar nga kampioni i Kosovës. Në fillim të muajit gusht, Rrahmani u zyrtarizua te skuadra rumune dhe për më pak se dy muaj, ai ka rritur dukshëm vlerën e tij në treg.
Në katër ndeshje të luajtura deri më tani në kampionatin e Rumanisë, Rrahmani ka shënuar 6 gola dhe ka bërë 1 asistim për Rapidin. Në fakt, Rrahmani, aktualisht është njëri prej tre lojtarëve më të shtrenjtë te Rapidi i Bukureshtit.
Listës i prinë portieri i Rapidit, Horatiu Moldovan. Vlera e Moldovanit është 1.6 milionë euro. Ndërkohë, mbrojtësi i krahut të majtë, Andrei Borza vlenë 1.2 milionë euro, sa edhe Rrahmani. Sulmuesi 23-vjeçar ka kontratë me Rapidin deri në verën e vitit 2026, por ditë më parë, ai ka paralajmëruar se nuk e ka ndërmend të qëndrojë gjatë te skuadra rumune.
Ai ka pranuar haptazi se synimi i tij është që të luaj në njërën prej top-ligave të Evropës.