Hoti ia kthen Kurtit për “razumen”: Ky që i thurr elozhe Ivanoviqit, e me Kusari-Lilën koordinohet me Radojçiqin
Avdullah Hoti, kandidat për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i është kundërpërgjigjur sërish Albin Kurtit, pasi ky i fundit nga një tubim zgjedhor në Gjakovë e goditi për frazën “razumem malo” thënë Aleksandar Vuçiqit.
Hoti tha se deklarata e tillë “është shtrembëruar nga ky mashtrues” derisa rikujtoi videoadresimin glorifikues të Kurtit ndaj të akuzuarit për krime lufte në veri, Oliver Ivanoviqit si dhe bisedat mes Mimoza Kusari-Lilës dhe Millan Radojçiqit.
“Ia kam dhënë menjëherë përgjigjen Kurtit. Mënyra se si është thënë ajo fjalë, është thënë veç në kontekstin e sjelljes, me një kundërshtar të shtetit, dhe në atë kontekst është thënë”, tha Hoti.
“Ky e ka shtrembëru, ky që ka thurr elozhe për njerëz dhe që kanë qenë nën gjykim njerëz kriminel, ju ka thurr elozhe (Oliver Ivanoviqin), ky që personalisht përmes Mimoza Kusari-Likës ka koordinuar agjendën e parlamentit me një person të akuzuar për krime, nuk do koment. E mira është që qytetarët po e dinë Mënyra se si po sillet në fushatë, është përçudnim e tij”, tha Hoti.