Zelensky: Dy koreano-veriorë që luftonin për Rusinë u kapën në Kursk

Zelensky: Dy koreano-veriorë që luftonin për Rusinë u kapën në Kursk

Dy ushtarë të Koresë së Veriut janë kapur rob gjatë luftimeve në rajonin jugor të Kurskut të Rusisë, tha dje në mbrëmje presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Ata u kishin mbijetuar pavarësisht plagëve të luftës dhe ishin dërguar në Kiev, ku operativët e inteligjencës ukrainase po i merrnin në pyetje”, tha Zelensky në rrjetet sociale.

“Shtypit do t’i jepet akses për të burgosurit. Bota duhet të dijë se çfarë po ndodh”, tha ai.

“Ky nuk është raporti i tij i parë për koreano-veriorët e kapur. Megjithatë, të burgosurit e mëparshëm kanë vdekur nga plagët e tyre”, shtoi Zelensky.

Koreja e Veriut besohet se ka dërguar rreth 12 000 ushtarë në Rusi për të mbështetur pushtimin e saj në shkallë të plotë në Ukrainë, të nisur në shkurt 2022.

Moska aktualisht po përdor koreano-veriorët për të përforcuar njësitë e saj në kundërsulmin në rajonin, Kursk – ku trupat ukrainase avancuan në një ofensivë të befasishme gushtin e kaluar.

Sipas vlerësimeve si nga Ukraina ashtu edhe nga SHBA-ja, koreano-veriorët po pësojnë humbje të mëdha atje.

Zelensky i ka bashkangjitur postimeve të tij foto që dyshohet se tregojnë të burgosurit.

“Është e vështirë t’i kapësh të gjallë ushtarët e Koresë së Veriut. Ushtria ruse dhe koreano-veriore është e gatshme që më mirë t’i vrasë koreano-veriorët e plagosur sesa t’i lejojë ata të kapen rob”, tha ai.

“Si të gjithë të burgosurit, edhe këtyre dy ushtarëve të Koresë së Veriut po u sigurohet kujdesi i nevojshëm mjekësor”, shkroi Zelensky.

Sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, të burgosurit e luftës nuk mund të ekspozohen në publik. Sipas Kryqit të Kuq, raportimet për robërit e luftës nuk janë të ndaluara, por robërit nuk duhet të identifikohen.

Një kartë identiteti ushtarake ruse u tregua gjithashtu nga Zelensky, sipas së cilës një prej koreano-veriorëve i ishte dhënë vendlindja në republikën ruse, Tuva.

“Rusia ua jep koreanëve këto dokumente, por ata nuk po mashtrojnë askënd”, tha Zelensky në një video.

“Vetë Rusia po bën gjithçka për të zgjatur dhe zgjeruar luftën dhe do të mbajë përgjegjësi për të”, shtoi ai. /atsh/

Share This