Osmani me zyrtarin e lartë amerikan: Së shpejti finalizojmë Dialogun Strategjik

Osmani me zyrtarin e lartë amerikan: Së shpejti finalizojmë Dialogun Strategjik

Së shpejti finalizohet Dialogu Strategjik Kosovë-SHBA. Kështu ka deklaruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit të zhvilluar me Zëvendës Sekretarin amerikan Richard Verma, duke e konsideruar si një lajm të shkëlqyer për vendin.

“Lajm i shkëlqyeshëm për Republikën e Kosovës!

Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zëvendës Sekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, deklaroi Osmani.

Kjo e fundit shtoi se konfirmimi për finalizimin së shpejti të Dialogut Strategjik, është dëshmi e partneritetit të mirëfilltë mes Kosovës dhe SHBA-së. Osmani bëri me dije gjithashtu se së shpejti do të zhvillohet takimi i parë mes ekipeve të dy vendeve për të finalizuar marrëveshjen e cila do të ketë në fokus të saj fusha të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës.

“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate. Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës. Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, përfundoi Osmani.

Share This