Kurti: S’ka koalicion me asnjë parti pas zgjedhjeve, na sulmuan shumë sidomos muajve të fundit
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se nuk sheh mundësi koalicioni me asnjë prej partive politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai ka përmendur fjalinë e njohur të tij se “opozita nuk është reformuar”, por ka dhënë si arsye edhe “sulmet e muajve të fundit që opozita i ka bërë ndaj partisë së tij”.
“Nuk shohim mundësi të kemi koalicioni paszgjedhore, prandaj i kemi bërë ato parazgjedhore, me partinë Guxo dhe me Alternativën. I kemi përvojat dhe mbresat më të mira nga njëri-tjetri. Partitë që kanë qenë gjatë në qeverisje në Kosovë, PDK, LDK dhe AAK, në këto katër vite unë nuk kam parë që janë reformuar dhe kur e kemi parasysh që sidomos muajve të fundit sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë politik, ndaj eksponentëve tonë politik ndaj qeverisjes tonë të mirë e demokratike, nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin e ardhshëm, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm”, ka thënë Kurti për “Kosovapress”.