Superliga e Kosovës në futsall bëhet me sponsor gjeneral
Federata e Futbollit e Kosovës ka
nënshkruar sot kontratë me kompaninë “Lirimi”, e cila do të jetë sponsor gjeneral i Superligës së Kosovës në futsall.
Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga presidenti i FFK-së Agim Ademi dhe pronari i kompanisë “Lirimi”, Lirim Thaçi dhe ajo është për periudhë njëvjeçare.
Me rastin e nënshkrimit të kësaj kontrate presidenti Ademi u shpreh i lumtur që edhe futsalli si pjesë e rëndësishme e FFK-së po zhvillohet dhe interesimi për këtë sport po rritet gjithnjë e më shumë.
I pari i FFK-së me këtë rast ka uruar të gjitha klubet dhe lojtarët e Superligës në futsall.
Edhe pronari i kompanisë “Lirimi Group” uroi klubet e Superligës në futsall dhe u shpreh i lumtur për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet kompanisë së tij dhe FFK-së.
Kjo marrëveshje vjen si rrjedhojë e punës së madhe që po bëhet në të gjitha drejtimet në futbollin kosovar, e ku hapa të rëndësishëm po bëhen edhe në futsall.
Për herë të parë në histori të këtij sporti, Superliga e Kosovës në futsall do të ketë sponsorin e vet dhe në bazë të marrëveshjes së arritur, emri i Superligës tash e tutje do të jetë “Lirimi Superliga”
Ky partneritet ndërmjet FFK-së dhe ”Lirimi Group” ndihmon klubet e Superligës në përmirësimin e kushteve të tyre.