Kurti: KF Prishtina, Përfaqësuesja jonë kur s`mund të kishim Përfaqësuese
Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur Klubin futbollistik Prishtinën Përfaqësuese të Kosovës në kohët kur Kosova nuk mund të kishte Përfaqësuese.
Shefi i qeverisë ka marrë pjesë në promovimin e monografisë së parë të Klubit të futbollit Prishtina, kushtuar 100-vjetorit të themelimit të klubit, të shkruar nga Esad Ejupi.
Kurti ka folur për rëndësinë historike të klubit.
“Atëherë kur nuk kishim e nuk lejohej që të kishim përfaqësuese të “Kosovës, Klubi Futbollistik Prishtina ishte përfaqësuesja jonë. Momentet më kulmore të këtij klubi, i kujtojmë në vitet e 80-ta, me gjeneratën e artë të Prishtinës, me në krye kapitenin Fadil Vokrri dhe padyshim me shokët e tij”, ka thënë Kurti. “Kjo gjeneratë bëri bujë të madhe duke u bërë klubi i parë nga Kosova që garoi në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë në stinorin 1983-1984”.
Sipas tij, inkuadrimi në ligën elitare asokohe të federatës nuk ishte vetëm pjesëmarrje, por edhe përfaqësim dinjitoz i vlerave kombëtare e qytetare. “Sepse, kjo ngritje sportive erdhi vetëm tri vite pas demonstratave gjithëpërfshirëse popullore të vitit 1981, që lindën si protesta studentore, e kur populli ynë shprehu revoltën ndaj shtypjes dhe diskriminimit të vazhdueshëm të regjimit jugosllav të asaj kohe”, ka thënë ai. “E në këtë periudhë, klubi i Prishtinës nuk kishte vetëm sfida sportive në fushat e blerta, por kishte edhe shumë sfida të tjera politike e sociale jashtë fushe”. Përkundrazi, sipas tij, kjo e bëri edhe më të fortë Prishtinën, duke qëndruar e duke garuar për pesë vite rresht në Ligën e Parë. “Kryetrajnerë në periudha të ndryshme ishin emra të njohur si Fuad Muzurović, pastaj shumë i respektuari Ajet Shosholli, dhe tashmë i ndjeri, legjenda Miroslav “Ćiro” Blažević. Stadiumi që tashmë mbanë emrin e të madhit Fadil Vokrri, gjithmonë ishte përplot me tifozë të cilët vinin për ta parë spektaklin e krijuar nga Prishtina”, ka thënë shefi i ekzekutivit. “Ndërsa shumëkush që nuk arrinte të ishte i pranishëm në tribuna, i përcillte ndeshjet duke dëgjuar komentimin me plotë pasion në radio, duke paramenduar e imagjinuar lëvizjet dhe golat magjik të futbollistëve bardhekaltër”. Sipas tij, në stadiumin e kryeqytetit, me përkrahjen e madhe të tifozëve, nuk kishte skuadër që nuk mposhtej. “Ekipe të famshme që ngadhënjenin edhe nëpër Evropë, kur vinin në Prishtinë mposhteshin. E gjithë kjo histori me shumë suksese, sot është shndërruar në një libër monografik dhe nuk është e çuditshme që ai libër është aq i trashë, i dendur me informacion e me tekst të shumtë”, ka thënë ai. “Andaj e falënderoj shumë z. Esad Ejupi për angazhimin dhe përkushtimin e tij me plotë pasion për ta shkruar një libër të tillë që na bënë ta kujtojmë e mos ta harrojmë historinë e suksesshme sportive në vendit tonë, që ka qenë edhe më shumë sesa sportive”.