Barcelona i vendos ultimatum dy yjeve të skuadrës
Barcelona i ka paralajmëruar dyshen Ronald Araujo dhe Frenkie de Jong se do të shiten në rast që nuk nënshkruajnë kontrata të reja para fundit të sezonit.
Katalunasit janë afër të rikthehen te rregulli 1:1 në La Liga, që i bie se janë në gjendje të shpenzojnë 1 euro për secilën 1 euro të fituar dhe tani janë të fokusuar për t’i ofruar kontrata të reja lojtarëve më të vlefshëm.
Gavi dhe Pedri kanë pranuar të rinovojnë, sidoqoftë sipas “Relevo” ka frikë te bordi blaugranas për të ardhmen e Araujos dhe De Jong.
Të dy lojtarët kanë hyrë në 18 muajt e fundit të kontratës dhe Barcelona e ka bërë të qartë se nuk do t’i lejojë të hynë në vitin e fundit të kontratës.
Si Araujo ashtu edhe De Jong janë paralajmëruar se duhet të rinovojnë para qershorit, përndryshe do t’iu tregohet dera në verën e vitit 2025.
Sa i përket uruguaianit ka pasur sinjale se po konsideron të qëndrojë deri në vitin 2026 pastaj të largohet për t’iu bashkuar ndonjë klubi tjetër evropian, ku edhe do të përfitonte ndonjë bonus transferimi.
Araujo do të qëndronte në “Camp Nou” vetëm nëse i ofrohet rritja e pagës, për dallim nga De Jong që është gati të dëgjojë oferta edhe me zbritje page.