Zelensky takohet me liderët evropianë ndërsa Trump përgatitet të marrë detyrën si president i SHBA-së
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të takohet sot me shefin e NATO-s Mark Rutte dhe liderët kryesorë evropianë në Bruksel – për të diskutuar “hapat e ardhshëm” në luftën e Rusisë – ndërsa Donald Trump përgatitet të marrë detyrën si president i SHBA-së.
Gjatë takimit, sot në mbrëmje pritet të marrin pjesë liderë nga Gjermania, Polonia, Italia, Danimarka dhe institucionet kryesore të Bashkimit Evropian.
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer nuk do të jenë të pranishëm – për shkak të angazhimeve të tjera – por ata do të përfaqësohen nga ministrat e tyre të Jashtëm.
Takimi vjen më shumë se një muaj përpara se Trump të zhvendoset në Shtëpinë e Bardhë, pasi u zotua se do t’i jepte fund shumë shpejt konfliktit – që NATO raporton se ka shkaktuar më shumë se një milion të vdekur dhe të plagosur – që nga pushtimi i Rusisë në vitin 2022.
Ekziston shqetësimi në rritje se Trump mund të ndalojë mbështetjen e SHBA-së për Kievin dhe ta detyrojë atë të bëjë lëshime të mëdha ndaj Moskës.
Udhëheqësit evropianë, duke synuar që kjo të mos ndodhë, po përpiqen të hartojnë planet e tyre.
Paqe e drejtë dhe e qëndrueshme
Diskutimet kanë nisur mes disa kryeqyteteve për dislokimin e mundshëm të trupave evropiane në Ukrainë për të siguruar një armëpushim eventual.
Por, ndërsa kjo çështje u ngrit në një takim të fundit midis Macron dhe kryeministrit polak Donald Tusk, diplomatët thanë se është shumë herët për të hartuar propozime konkrete.
“Zyrtarisht kjo nuk është në rendin e ditës, por meqenëse do të ketë shumë njerëz të rëndësishëm në të njëjtën dhomë, nuk mund të përjashtohet mundësia”, tha një diplomat i NATO-s.
“Takimi, në thelb do të jetë rreth kërkesës së Zelensky për më shumë ndihmë ushtarake”, shtoi diplomati.
Duke iu drejtuar dje parlamentit italian, Meloni tha se takimi në Bruksel do të përforconte përpjekjet evropiane për të siguruar një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
“Është gjithashtu një mundësi e rëndësishme për të diskutuar të ardhmen e konfliktit, duke arritur një koordinim të ngushtë për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren”, tha Meloni.
Zelensky tha se beson se lufta mund të përfundojë vitin e ardhshëm dhe u ka bërë thirrje aleatëve që të ndihmojnë për të siguruar një marrëveshje paqeje që Moska të mos e shkelë.
“Udhëheqësit do të diskutojnë mënyrat për forcimin, urgjentisht të Ukrainës në fushën e betejës, politikisht dhe gjeopolitikisht”, tha ai.
Zelensky kërkon mbrojtje ajrore
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen këmbënguli se përforcimi i Ukrainës tani nuk ishte vetëm një imperativ moral, por gjithashtu një imperativ strategjik.
Rutte tha se aleatët e Kievit duhet të fokusoheshin në rritjen e furnizimeve me armë.
Mbështetësit perëndimorë po kërkojnë të mbështesin Ukrainën – pasi trupat e lodhura të Kievit po humbasin terren në vijën e frontit – dhe Moska ka dislokuar ushtarët koreano-veriorë në fushën e betejës.
“Qëllimi është ta bëjmë Ukrainën sa më të fortë për negociatat e mundshme”, tha një burim i qeverisë gjermane.
Zelensky tha të martën se Ukrainës i nevojiten 12 deri në 15 sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur plotësisht vendin nga sulmet raketore ruse.
Ndërsa Trump pritet të kthehet në pushtet , udhëheqësi ukrainas është dukur se ka zbutur qëndrimin e tij ndaj çdo nxitjeje të mundshme drejt paqes.
Ai tha se nëse Ukrainës i ofrohen garanci të forta sigurie nga NATO dhe armatim të mjaftueshëm, ajo mund të bjerë dakord për një armëpushim – dhe të kërkojë të rimarrë pjesën tjetër të territorit të saj përmes mjeteve diplomatike.
Por, anëtarët e NATO-s kanë kundërshtuar thirrjet e Kievit për një ftesë për t’u bashkuar menjëherë me aleancën e tyre, duke ndezur spekulime se dërgimi i paqeruajtësve mund të jetë një alternativë. /atsh