“Lumë” golash dhe përmbysje e çmendur, çfarë dhuroi java e gjashtë në Superligën e Kosovës
Java e gjashtë e Superligës së Kosovës u karakterizua me një numër të lartë golash, plot 20. Llapi vazhdoi fillimin premtues përballë Gjilanit ku shënoi edhe një fitore, kësaj radhe me rezultatin 2-1.
Skuadra nga Podujeva, tashmë është në pozitën e parë. Dhe po vazhdon me formën e mirë, ndërkohë që Gjilani zbret në zonën e ftohtë.
Skuadrës i duhet një rezultat i mirë në takimet e ardhshme përndryshe atmosfera dhe morali nuk do të jenë në nivelin e duhur. Dukagjini fitoi përballë Fushë Kosovës me rezultatin minimal 1-0.
Me skuadrën në pozitën e shtatë dhe rezultat ky që e largon nga zona e ftohtë, ndërkohë në anën tjetër Fushë Kosova është në fund të renditjes. Me vetëm një pikë, teksa ende nuk ka arritur fitoren e parë pas gjashtë javëve. Skuadra kërkon që sa më parë të shijojë tri pikët, sepse përndryshe do të jetë një kampionat problematik për ta.
Dita e diel ishte e rezervuar për gola. Feronikeli 74 fitoi përballë Lirisë në atë çfarë mund të konsiderohet takimi më spektakolar i kësaj jave, ku Liria udhëhoqi 3-0 dhe dukej që do të siguronte një rezultat tjetër të rëndësishëm. Mirëpo, skuadra nga Drenasi bëri atë që nuk e kishte bërë askush deri tani, duke u rikthyer në rezultat dhe fituar ndeshjen 3-5!
Përkundër këtij triumfi historik, Feronikeli 74 është ende në zonën e ftohtë për shkak të gol diferencës me Dukagjinin. Kampionët e Ballkanit shënuan fitore jo të lehtë përballë Malishevës 3-2. Goli i tretë i shënuar në pjesën e dytë, ishte vendimtar duke i siguruar tri pikët skuadrës së Ilir Dajës.
Që është në pozitën e dytë me po aq pikë sa Llapi, 13 saktësisht. Malisheva mbetet me nëntë pikë dhe pas një fillimi shumë pozitiv ka pësuar dy humbje. Fitore bindëse shënoi Drita përballë Prishtinës, në derbin e javës.
Skuadra nga Gjilani triumfoi 3-0 duke i dhënë një goditje tjetër kryeqytetasve, me dy skuadrat që aktualisht janë me pikë të barabarta: me nga nëntë, por gjithsesi larg objektivave. Duke u pozicionuar në pozitat katër dhe pesë, respektivisht prapa Malishevës. /SS/