Kryeministri i Kroacisë: Dialogu Kosovë-Serbi gjithsesi duhet të përfundojë me njohje reciproke
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në një konferencë për medie të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka folur për ngjarjet dhe incidentet në veri të Republikës së Kosovës, duke thënë se Kroacia i ka përcjellë me shumë shqetësim dhe ka thënë se do të ketë një analizë të thellë për to nga shteti kroat.
Plenkoviq ka thënë se Kroacia beson tek dialogu Kosovë-Serbi që do të përfundojë me normalizim të raporteve mes dy shteteve dhe gjithsesi të përfundojë me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“E kam përmendur që ky incident s’është i ri, ka pasur tri së paku sulme që kanë ndodhur dhe sa i përket Kroacisë, do të analizohen shumë thellësisht dhe janë marrë me shumë shqetësim. Besojmë tek dialogu Kosovë-Serbi që të rezultojë me normalizim të marrëdhënieve dhe gjithsesi të përfundojë me njohje reciproke. Dhe të çojë tek pozita që Kosova të marrë rrugëtimin e saj adekuat drejt BE-së. Procesi mund të mos jetë I shpejtë për shkak të 5-shes që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën”, ka thënë Plenkoviq.