SHBA akordon 500 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara po i dërgojnë një paketë tjetër ndihme ushtarake Ukrainës, me vlerë 500 milionë dollarë, për të mbështetur mbrojtjen e vendit kundër ofensivës së vazhdueshme të Rusisë, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit (DASH).
Paketa e re e ndihmës përfshin sisteme antidronë, municione raketore HIMARS dhe mjete të blinduara.
“Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 50 vende qëndrojnë së bashku për të siguruar që Ukraina të ketë aftësitë që i nevojiten për të mbrojtur veten nga agresioni rus”, theksoi DASH.
Vetëm pak ditë më parë qeveria amerikane njoftoi një paketë me vlerë rreth 988 milionë dollarë.
Ndërsa mandati i presidentit amerikan Joe Biden po i afrohet fundit, shqetësimet po rriten në Ukrainë për ndryshimet e mundshme në politikën amerikane.
Presidenti i zgjedhur republikan, Donald Trump merr detyrën më 20 janar dhe shumë kanë frikë se ai mund të reduktojë në mënyrë drastike ndihmën ushtarake për Ukrainën, gjë që mund të dëmtojë mbrojtjen e Kievit kundër Rusisë. /ATSH/