Kryeministri Kurti udhëton drejt Kroacisë, pritet nga homologu Andrej Plenkoviq

Kryeministri Kurti udhëton drejt Kroacisë, pritet nga homologu Andrej Plenkoviq

Kryeministri Albin Kurti zhvillon këtë të premte (13 dhjetor) një vizitë zyrtare në Zagreb të Kroacisë, ku do të pritet nga homologu kroat Andrej Plenkoviq në orën 10:10.

Pas takimit, dy kryeministrat do të mbajnë një deklaratë për media në orën 11:40, ku do të bëjnë me dije çështjet e diskutuara.

Më pas kryeministri Kurti do të marrë pjesë në hapjen e Forumit Ekonomik Kroaci-Kosovë, ku pjesë e këtij forumi janë 30 biznese nga Kosova.

Më tej në orën 15:20, kreu i qeverisë së Kosovës do të pritet nga presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.

Vizitën e tij në Zagreb, kryeministri do e përmbyllë në Kuvendin e Kroacisë ku do të takohet me kryetarin e këtij kuvendi, Goran Jadrokoviq.

Në këtë vizitë, kryeministri Kurti shoqërohet nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Gjatë kësaj vizite dy vendet do të nënshkruajnë marrëveshje në fushën e sigurimeve sociale, për njohje të ndërsjellë të patentë shoferëve, për bashkëpunim në mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore, teknike dhe teknologjike, dhe bashkëpunim në fushën e mjekësisë ligjore.

Pas Kroacisë, kryeministri Kurti do të udhëtojë drejt Sllovenisë.

Share This