Damasku kthehet në normalitet pas pushtimit të rebelëve
Damasku, kryeqyteti sirian po kthehet në normalitet – pasi aleanca rebele e udhëhequr nga milicia islamike, Hayat Tahrir al-Sham pushtoi qytetin të dielën.
Banorët e një lagjeje në perëndim të qytetit thanë se disa restorante dhe dyqane ishin rihapur dhe se njerëzit po vizitonin tregjet e qytetit.
Gjatë dy ditëve të fundit, pronarët e dyqaneve kanë pasur frikë se mos sulmoheshin dhe grabiteshin.
Anëtarët e fraksioneve rebele tani janë të dukshëm në rrugët e qytetit së bashku me policinë.
Në një lagje në juglindje të qytetit, banorët thanë se kishin nisur një fushatë për të pastruar rrugët e ndotura.
Nisma ka marrë shumë reagime pozitive në rrjetet sociale. Shpresohet që fushata të përhapet në të gjithë qytetin dhe përfundimisht në të gjithë Sirinë.
Agjencitë qeveritare në Damask po rihapen, pasi kryeministri i qeverisë së mëparshme, Mohammed al-Jalali dhe shumica e ministrive u bënë thirrje punonjësve të tyre të kthehen në punë dhe të ofrojnë shërbime për qytetarët.
Shumë punonjës nuk u paraqitën në punë në ditët e para pasi aleanca rebele pushtoi qytetin. /ATSH/