Rekord i Kane, feston Tuchel: Bayern i shkëlqyer, ishim shumë lart
Një fitore e thellë e Bayernit në Bundesliga, nuk është diçka e rrallë dhe e veçantë. Bavarezët i përsëritin herë pas here triumfet me goleada në Gjermani.
Njësoj ndodhi të shtunën përballë Bochumit, rival të cilin djemtë e Thomas Tuchel e mposhtën 7-0. Sfidë ku Harry Kane gjeti tregolëshin e parë si bavarez, ndërkohë që dhuroi edhe dy asiste.
7 gola në 5 ndeshjet e para në Bundesliga për bomberin anglez, i cili thyen rekordet e Gerd Muller (1965), Miroslav Klose (2007) dhe Mario Mandzukic (2012).
Trajneri Thomas Tuchel u shfaq i lumtur pas ndeshjes, teksa në analizën e tij deklaroi se çfarë i pëlqeu më shumë nga skuadra.
“Jam shumë i kënaqur me qëndrimin e skuadrës dhe mënyrën se si e trajtuan ndeshjen. Hodhëm një hap të qartë përpara. Ne luajtëm drejtpërdrejt dhe me shpejtësinë e duhur. Ishte një performancë e nivelit të lartë, një paraqitje e shkëlqyer ekipore”, deklaroi trajneri i Bayernit.