Hajredin Kuçi deklarohet i pafajshëm në Hagë: Drejtësia është mision për mua, nuk kam bërë asnjë shkelje
Hajredin Kuçi është deklaruar i pafajshëm në Gjykatën Speciale të Hagës.
Ai ka thënë se kjo aktakuzë është momenti më i vështirë për të si profesor e si ish-ministër i Drejtësisë.
“E nderuara gjyqtare do të deklarohem tash. Jam plotësisht i pafajshëm, sot është prej momnete të errëta për mua si profesionist i drejtësisë, si profesor i drejtëssië mbi 30 vjet, si ish-kryetar i Komisonit Kushtetues të Kosovës, si zv/kryeministër për rend dhe ligj për tri mandate dhe ministër i Drejtësisë për dy mandate, si anëtar i ekipit mbrojtës të kryetarit Veseli. Këtë aktakuzë e shoh si prekje të dinjitetit tim njerëzor, profesional, reputacionit tim. Drejtësinë do ta vazhdoj nga sot, por në funksion të saj, dhe atyre vlerave që jam identifikuar, më vjen keq për shqetësimin që kjo akuzë ua ka bërë familjes time, studentëve e kolegëve të mi, shokëve e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Kuçi.
Kuçi ka lavdëruar punën e tij me Hashim Thaçin, dhe është shprehur i bindur se nuk ka bërë asnjë vepër penale.
“U them atyre edhe sot, jam i njëjti që kam qenë edhe para datës 6 dhjetor. Nuk do ta zhgënjej askënd. Më lejoni të jem i qartë, nuk kam bërë asnjë vepër penale, jam i pafajshëm, dhe besoj se do të lirohem nga akuzat. Në aktakuzë jam me presidentin Hashim Thaçi, Hashimin e kam mik, njihemi vite të gjata, dhe kemi punuar gjatë. Gjatë gjithë punës së bashku kemi punuar mbi parimin e drejtësisë. Kemi besuar në drejtësi”, ka thënë ai.
Kuçi është shprehur se besimi në drejtësi dhe në Zot është i përhershëm.
“Si jurist kam përdorur sloganin “Sundimi i ligjit mbi ligj”, edhe sot besoj se kjo gjykatë po e bën këtë dhe do ta bëjë. Puna ime është ndërtuar për drejtësi, në besimin në drejtësi, e jo në mosbindje ndaj urdhrave të Gjykatës që thotë akuza. Edhe në kohën kur isha në ekipin mbrojtës, me ligj e protokoll të takohem me dëshmitarë, këtë të drejtë nuk e kam shfrytëzuar asnjëherë. Nuk kam dashur të fitohet perceptim për ndonjë keqkuptim. Drejtësia është mision për mua. Të gjithë në këtë sallë jemi në anën e drejtësisë. Besimin në Zot e drejtësi nuk e luhati as kur sfidohem personalisht”, ka thënë Kuçi.