Reagim i KMDLNj-së / Gjykata Speciale Raciste, mbi Kushtetutën dhe mbi shtetin
Policë të paidentifikuar para dy dite arrestuan Bashkim Smakën, luftëtarin e UÇK-së dhe ish shefin e AKI – së, Fadil Fazliun, ushtarin e UÇK-së dhe vëlla të dy dëshmorëve të Kombit, Fahri dhe Bahri Fazliu, Isni Kilaj, ushtarin e UÇK-së dhe ish- kryetarin e Malishevës.
Për orë të tëra bastisën shtëpinë e Hajredin Kuçit, bartës i shumë posteve të larta në Kosovën e pasluftës ish – ministër i Drejtësisë dhe pjesë e ekipit mbrojtës të presidentit Thaçi në Hagë. Atij iu la urdhërlajmërimi për paraqitje para Gjykatës Speciale Raciste në Hagë më 9 dhjetor 2024. Presidenti Thaçi nuk u arrestua sepse mbahet i arrestuar më shumë se katër vite në Burgun e Hagës. Prokuroria e Inkuizicionit Special kundër UÇK – së dhe shqiptarëve ngriti një aktakuzë duke cilësuar si një grup i organizuar dhe i angazhuar për të penguar administrimin e drejtësisë duke bërë presion ndaj dëshmitarëve.
E keqja që po përsëritet është se Policia e Kosovës po merr pjesë, në cilësinë e punëtorit fizik edhe gjatë bastisjes si dhe arrestimit të shqiptarëve, kryesisht ushtarë të UÇK-së, familjarë apo përkrahës të luftës. Ndonëse procesi ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit është duke vazhduar para një trupi gjykues të korruptuar profesionalisht, moralisht dhe mbase edhe materialisht, nuk iu bëhet vonë që Thaçin ta akuzojnë edhe për një vepër tjetër që në shtetet normale nuk ndodhë shpesh. Në fakt, në ish – Jugosllavinë ka pasur raste kur shqiptarët gjatë procesit të gjykimit ngarkoheshin edhe një aktakuzë të çastit për t’i dënuar disa vite më tepër. Kjo histori represive dhe regresive po përsëritet në Hagë nga mashtruesit juridikë, armiqësisht të disponuar kundër luftës për liri dhe UÇK-së.
KMDLNj, që nga fillimi e ka kundërshtuar këtë gjykatë sepse ndanë “drejtësi” sipas kriterit etnik sikur që cakton përgjegjësinë gjithashtu sipas parimit etnik. Mbi 90% të viktimave nuk i trajton vetëm se janë shqiptarë sikur që falë 90 % për qind të atyre që planifikuan, nuk e penguan apo e kryen krimin shkaku se janë serbë. Kësi rasti nuk mund ta gjeni askund në botë ku janë formuar gjykata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që nga Gjyqi i Nyrembergut e deri te ky monstrum juridik, GJSR në Hagë. Kjo gjykatë është themeluar në kushte të një terrorizimi nga faktori ndërkombëtar ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës kurse, me shantazh dhe mashtrime i është bartë tërë autoriteti vendimmarrës kësaj organizate të përbashkët “juridike” në Hagë duke e zhveshur Kosovën 100 për qind nga ushtrimi i sovranitetit juridik ndonëse, nga të dyja palët thuhet dhe pranohet se GJSR është themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe se e njëjta është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës që rrjedhimisht nënkupton se duhet të punojë sipas ligjeve të Kosovës dhe duhet ta respektojë Kushtetutën e Kosovës. Kjo Gjykatë përkundrazi brutalisht ka dhunuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës sikur që shtetin e Kosovës e ka shpërfillur me paturpësinë më të madhe. Me Serbinë, prokurorinë dhe gjykatat e këtij shteti ka bashkëpunuar ngushtë dhe miqësisht e sidomos me shërbimet informative dhe kundërinformative nga ka siguruar dëshmitarë të sajuar dhe materiale që përbëjnë afërsisht 70 për qind të materialeve “dëshmuese” dhe dëshmitarëve serbë dhe atyre që flasin shqip.
Kjo GJRS nuk ka asnjë shenjë identifikuese të shtetit të Kosovës sikur që as gjuha shqipe nuk është zyrtare. GJSR bashkëpunon me pushtetin aktual vetëm në dëm të të akuzuarve, që edhe e ka pëlqimin e tyre.
Ky devijim juridik nuk është aspak transparent, askujt nuk i jep llogari dhe nuk lejon monitorim të pavarur. Nuk krijon kushte për një proces gjyqësor të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga politika dhe grupet e interesit. Në çdo mënyrë përpiqet ta pamundësojë mbrojtjen efektive të të akuzuarve. Brutalisht e shkelë parimin e publicitetit sikur që e dhunon prezumumin e pafajësisë përmes kërcënimeve publike të Baba Vangës – Ekaterina Trandafilova, Jack Smith etj.
Deri më tani nuk është marrë asnjë vendim në favor të të akuzuarve, janë refuzuar thuaja të gjitha kërkesat e tyre. Të gjitha vizitat, të privilegjuara dhe jo të privilegjuara janë përgjuar, janë lejuar të vizitohen edhe nga persona që kanë dhënë informata te kjo prokurori dhe gjykatë.