Specialja pretendon se Thaçi dha udhëzime për të ndikuar tek dëshmitarët
Gjykata e Hagës ka publikuar sot aktakuzën e re të konfirmuar kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, Hajredin Kuçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt e Fadil Fazliut. Të pestit akuzohen për pengim të drejtësisë dhe për ndikim tek dëshmitarët.
Në aktakuzë ku Dhomat e Specializuara të Hagës kanë listuar ato që pretendojnë se janë faktet e tyre të aktakuzës, tregojnë për bisedat që Hashim Thaçi ka pasur me Fadil Fazliun gjatë kohës kur ky i fundit e kishte vizituar ish-presidentin në qendrën e paraburgimit në Hagë. Sipas aktakuzës, Thaçi i ka dhënë të njëjtit informacione konfidenciale për dëshmitarët e rastit dhe i ka dhënë udhëzimet Fazliut që duhet t’i përcillte tek një dëshmitar. Kjo ka ndodhur 2 korrik të vitit 2023.
“Hashim THAÇI ishte drejtuesi ose organizatori i grupeve. Ai dha informacionin konfidencial që i ishte bërë i njohur gjatë gjykimit të tij, që mundësoi (tentativën për) pengimin e personave zyrtarë. Ai gjithashtu u dha udhëzime Fadil FAZLIUT, Bashkim SMAKAJT, Isni KILAJT dhe të tjerëve se si të ndikonin në mënyrë të paligjshme te dëshmitarët e ZPS-së”, thuhet në aktakuzë, raporton rtk.