Gjykata Speciale lëshon fletëthirrje ndaj Hajredin Kuçit
Gjykata Speciale ka lëshuar fletëthirrje ndaj ish-Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, shtëpia e të cilit u bastis dje.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para Gjykatëses së Procedurës Paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar, për paraqitjen e parë.
Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të
privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.
“Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”, thuhet në njoftim.
Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për të hënën, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00.
“Seancat e paraqitjes së parë do të jenë publike dhe mund të ndiqen në gjuhët shqipe, anglishte ose serbishte përmes faqes së transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së, me një vonesë prej 10 minutash, ose nga galeria për publikun në selinë e Gjykatës”, theksohet në njoftimin e Dhomave të Specializuara, raporton rtk.