E jashtëzakonshme, Gjikokaj i bashkohet skuadrës së Ligës së Kampionëve

E jashtëzakonshme, Gjikokaj i bashkohet skuadrës së Ligës së Kampionëve

Hendbollistja e Kombëtares së Kosovës, Mirela Gjikokaj, ka bërë hap jashtëzakonisht të madh në karrierë. Ajo ka nënshkruar me skuadrën norvegjeze, Storhamar, që paraqitet në Ligën e Kampionëve.
Storhamari është prej klubeve më të mëdha të hendbollit në Norvegji. Vjet e fitoi Ligën e Evropës (EHF European League), ndërsa ishte nënkampion në Norvegji.
Këtë edicion po paraqitet në Ligën e Kampionëve, është në vendin e dytë në kampionatin e Norvegjisë dhe do të luajë në finale të Kupës së Norvegjisë.

Gjikokaj, që luan në pozitën e bekut, së fundi ishte pjesë e skuadrës tjetër norvegjeze, Follo. Por Storhamar është nivel dukshëm më i lartë. Gjikokaj ka pauzuar nga fundi i edicionit të kaluar dhe për këtë arsye nuk ishte pjesë e Kombëtares sonë në ndeshjet me Belgjikën dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Ajo të hënën i fillon përgatitjet me skuadrën e re, ndërsa pritet të debutojë më 29 dhjetor në finale të Kupës së Norvegjisë ndaj Tertnesit.

Gjikokaj për kohë të gjatë është prej lojtareve më të rëndësishme të Kombëtares sonë. Pas lëvizjes së fundit, ajo pritet të jetë e rëndësishme edhe në ndeshjet e ardhshme. Kombëtarja jonë javën tjetër mëson kundërshtarin e fazës së fundit kualifikuese për Botëror.

Mirela Gjikokaj: “Puna, dëshira dhe përkushtimi shpaguhet në një moment. Kjo kontratë nuk është e rastësishme pasi të gjithë e dinë që kontributi im gjithnjë ishte i dalluar. Siç ka thënë edhe trajneri i Storhamar, unë isha në planet e ekipit për kohë të gjatë. Storhamari është ekip që përshtatet me synimet që unë i kam pasur gjithnjë. Është ekip i rangut botëror, të cilin çdo hendbolliste e dëshiron. Gjithnjë lufton për titull në Norvegji dhe në Ligën e Kampionëve. Oferta e tij më është përshtatur shumë, erdhi në kohën e duhur. Është mundësi shumë e mirë, mundësi për të treguar cilësitë që kam dhe së bashku të arrijmë rezultate kulmore”.

Share This