Sveçla: Në veri u gjetën armë dhe uniforma të ushtrive amerikane dhe britanike

Sveçla: Në veri u gjetën armë dhe uniforma të ushtrive amerikane dhe britanike

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për gjetjen e një sasi të konsiderueshme municionesh, armësh dhe uniformash gjatë një bastisjeje të zhvilluar në veri të vendit.

Pamjet e publikuara tregojnë materialet e sekuestruara, të cilat, sipas Sveçlës, ishin fshehur në një ahur.

Sveçla bëri të ditur se mes uniformave të gjetura kishte ato të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ai theksoi se kjo zbulon skenarë të rrezikshëm për të kryer krime e sulme, duke synuar fajësimin e shteteve të tjera.

“Ky është municioni, armët dhe uniformat që janë gjetur sot gjatë nje bastisjeje në veri të vendit. Këto të gjitha janë gjetur të fshehura nën një ahur.

Përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, në këto dëshmi shihen uniforma të ushtrive të ShBA-ve dhe asaj Britanike dhe ky fakt shpërfaq planet dhe skenarët ogurzi për të kryer krime e sulme dhe për të fajësuar shtete të tjera.

Çdokush që tenton të cenojë rendin kushtetues, sigurinë e vendit, nuk do të mund t’i ikë ndëshkimit. Republika e Kosovës, forca e ligjit të drejtë në shtetin tonë demokratik do të ngadhënjejë”, ka shkruar Sveçla.

Share This