Llapi fiton derbin ndaj Gjilanit, Dukagjini e mposht Fushë Kosovën
Llapi ka mposhtur me mund Gjilanin (2:1), derisa Dukagjini arkëtoi pikët e plota kundër Fushë Kosovës (1:0), në kuadër të xhiros së gjashtë në Superligën e Kosovës.
Derbi më interesant u zhvillua në “Zahir Pajaziti”, ku Llapi shënoi fitore me rezultat të ngushtë 2:1.
Muhamet Hyseni realizoi pas 18 minutave lojë për t’i dhënë epërsinë Llapit.
Vendasit ishin më të mirën shumicën e kohës, duke dyfishuar epërsinë me Granit Jasharin, që shënoi me kokë pas një aksioni të shpejtë dhe një asistimi të bukur të Selimit (34’).
Gjilani tentoi deri në fund për një rikthim por e tëra që ia doli ta bëjë ishte goli i nderit, i realizuar nga Qëndrim Ismaili në kohën shtesë (90+3’).
Me këtë fitore, Llapi vazhdon si lider me 13 pikë të mbledhura derisa Gjilani bie në vendin e tetë me katër sosh.
Ndërkohë, Dukagjini ka regjistruar fitoren e parë këtë sezon duke mposhtur në Klinë skuadrën e Fushë Kosovës.
Edhe pse shiheshin si favorit në letër, skuadra e Dallkut fitoi me rezultat minimal 1:0.
Heroi i vendasve ishte ish sulmuesi i Gjilanit dhe Ballkanit, Theophilus Solomon (76’).
Dukagjini renditet në pozitën e shtatë me gjashtë pikë, derisa Fushë Kosova mbetet në fund me vetëm një sosh.