Gërvalla: Serbia po i kopjon strategjitë e Rusisë

Gërvalla: Serbia po i kopjon strategjitë e Rusisë

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla gjatë debatit në seancën e jashtëzakonshme të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit në Varagë në veri të Kosovës, ka thënë se Evropa për një kohë shumë të gjatë e ka toleruar Putinin, ndërsa tani edhe Vuçiqi ka një imazh të njëjtë si Putini dhe ndjen që ka të drejtë të marrë territore dhe të nisë eskalime drejt luftës shumë të ngjashmë me atë që ka bërë Milosheviqi në vitet e 90-ta.

“Një sulm aq i rëndë mbi infrasturkturën e një shteti demokratik nuk ka ndodhur në Evropë përveç nga agresori rus në Ukrainë. Serbia nuk është Rusi por po kopjon strategjitë ruse dhe po i përshtat ato në kontekst rajonal”, ka theksuar Gërvalla gjatë fjalimit të saj.

Ajo ka rikujtuar se përveç sulmit terrorist mbi infrastrukturën kritike të shtetit të Kosovës, Serbia në shtator të vitit 2023 me rreth 100 trupa paramilitare të pajisura me armë më të rënda të nivelit të lartë, direkt nga arsenali ushtarak serb dhe me pajisje për rreth 400 trupa, bashkë me ushtrinë serbe me gatishmëri për të hyrë në Kosovë ka ndërmarrë përpjekjen e parë për ndërhyrje ushtarake në një vend me prani të NATO-s.

“Pra është krejtësisht e pamundur që një vendim i tillë të merrej pa koordinim me Rusinë. Rusia është e rrënjësur thellë në strukturat e Serbisë jo vetëm në ekonomi por edhe në strukturat e intelegjencës dhe ministrinë e mbrojtjes. As 5000 trupat e NATO-s nuk e ndalën Serbinë dhe Rusinë. Kjo nuk ka të bëjë me veriun e Kosovës, nuk është thjesht një mosmarrëveshje mes Serbisë e Kosovës, ajo që po ndodh prej vitesh para syve tanë është një konfrontim i përshkallëzuar që teston se për çfarë është i gatshëm Perëndimi”, ka thënë Gërvalla.

Ajo tutje rikujtoi se Vuçiqi ka qenë ministër i propagandës tek regjimi i Millosheviqit dhe se mediat në Serbi dirigjohen prej tij dhe kanë urrejtje ndaj Kosovës, ndaj opozitës së atjeshme dhe Perëndimit.

“Propagandohet përçmimi i një etnie, në këtë rast shqiptarëve në mënyrën më të thellë raciste, derisa në stadiumet serbe turmat këndojnë për minuta të tërë ‘Vrisni therrni shqiptarët’. Ata nuk duan Evropë, thjesht i duan eurotë e Evropës. Pra, portofolin e kanë në Bruksel, por zemrën e kanë në Moskë”, ka nënvizuar Gërvalla. /RTK/

Share This