Opozita me kritika për qeverinë Kurti
Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë të hënën në Kuvend se fenomeni më i dhimbshëm që më së shumti e ka goditur Kosovën, është emigrimi i qytetarëve të vendit.
Sipas tij, për tri vjet, nga 50 mijë qytetarë e kanë lëshuar Republikën e Kosovës.
“Cila është pamja sot? Fenomeni më i dhimbshëm që më së shumti e ka goditur Kosovën është emigrimi i qytetarëve të Kosovës. Bazuar në statistika gjatë këtyre katër viteve, 2021 – 2022 del që rreth 50 mijë qytetarë e kanë leshur Kosovën brenda vetit, pra për tri vjet radhazi nga 50 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendin. Këto janë shifra tmerruese”, ka thënë Tahiri, pas fjalimit të Albin Kurtit për katër vjet qeverisje.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka ironizuar me fjalimin e kryeministrit Albin Kurti në Kuvend.
“Një gjë është e sigurt, kryeministri e ka pas fjalimin më të gjatë në historinë e parlamentarizmit. E pamë si drejtor i një ndërmarrje publike, e pamë si drejtor i spitalit në Pejë, e pamë si drejtor në çerdhe, e pamë si drejtor në stacion të Policisë, asnjëherë si kryeministër. Sot si deputet të këtij Kuvendi kemi për detyrë të trajtojmë zotimet e bëra nga qeveria dhe përmbushjen e tyre në sektorët kyç të vendit tonë”, ka thënë Gashi.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka “treguar përralla” gjatë prezantimit të qeverisjes katërvjeçare të tij.
Ajo ka akuzuar qeverinë për skandale të shumta.