“E duam kapiten”, Lecce ëndërron, Ramadani “mbreti” i mesfushës
Lecce nuk ka ndërmend të ndalet. Ashtu si edhe Ylber Ramadani, “shpirti” i skuadrës që po surprizon në Serie A gjatë këtyre javëve të para.
Të premten erdhi fitorja 1-0 ndaj Genoas, që ka ngjitur përkohësisht skuadrën e D’Aversës në vendin e dytë të kampionatit italian.
Pesë ndeshje: tri fitore dhe dy barazime. Lecce ka vendosur një rekord, pasi kurrë më parë nuk kishte bërë një nisje të tillë.
“Vendi i dytë? Do e kthej renditjen me kokë poshtë në dhomat e zhveshjes në mënyrë që të qëndrojmë me këmbë në tokë”, deklaroi trajneri pas suksesit të fundit.
Ndërkohë, Ylber Ramadani vijon të dhurojë performanca fantastike. Mesfushori i kombëtares kuqezi, ndodhet në kulmin e tij.
Dhe po shkëlqen me kuqezinjtë e Sylvinhos, gjithashtu edhe me skuadrën e re.
Gjashtë ndeshje mes kampionatit dhe Kupës së Italisë. Të gjashta të plota dhe shumë të mira.
Përveçse titullar i padiskutueshëm në epokën Sylvinho në Kombëtare.
“Ramadanin e duam kapiten”, është një nga komentet e zakonshme të tifozëve të Lecces, të cilëve “luftëtari” shqiptar u ka hyrë menjëherë në zemër.
Edhe pse vetëm në fillimin e sezonit të parë, 27-vjeçari i ka bërë të gjithë për vete me kilometrat e përshkruara në fushë dhe kontributin e madh që jep.
Duke luftuar plot guxim në çdo cep të fushës e duke fituar duele pafund përballë kundërshtarëve.
Edhe kundër Genoas ishte ndër më të mirët për Leccen, teksa shtypi italian dha vlerësimin e radhës për të palodhurin Ramadani:
“Ka fizikun dhe personalitetin e duhur për të marrë në dorë frenat e mesfushës. Ia del të menaxhojë mirë qarkullimin e topit, duke diktuar ritmin e Lecces”.