Reagime për sulmin në veri, ndërkombëtarët ofrojnë mbështetje për Kosovë

Reagime për sulmin në veri, ndërkombëtarët ofrojnë mbështetje për Kosovë

Reagime të ashpra ka nxitur sulmi i kryer në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në veri të Mitrovicës. Krerë të shtetit e cilësuan atë si sulm terrorist, teksa aleatët ndërkombëtarë ofruan mbështetjen e tyre, që kryerësit e tij të vihen sa më shpejt para drejtësisë.

Cenimi i sigurisë nga bandat kriminale serbe në veri të vendit, ka nxitur reagim vendor e ndërkombëtar. Për këtë, presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorët e shteteve të Kuintit, atë të BE-së si dhe komandantin e KFOR-it.

Me këtë rast, shefja e shtetit kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar sigurinë në Kosovë. Shefja e shtetit, e cila gjatë ditës anuloi edhe vizitën shtetërore në Brunei për shkak të zhvillimeve në veri, tha se sulmi terrorist dëshmon qëllimet e Serbisë për destabilizim.

Ndërsa, shefi i legjislativit, Glauk Konjufca, theksoi se ata që janë pas këtij sulmi, do të përgjigjen për aktet terroriste.

Një ditë pasi ndodhi sulmi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, kreu i Mitrovicës së Jugut, njëherësh kandidat për kryeministër nga PDK-ja, mblodhi Komitetin për Menaxhimin e Emergjencave. Hamza ka shkruar se në këtë takim kanë diskutuar për masat që duhet të merren pas sulmit që ka shkaktuar pasoja në rajonin e Mitrovicës dhe në gjithë Kosovën.

Sipas kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka forcë e as shpërthim që mund t`i rrënojë shtyllat e republikës. Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se është i domosdoshëm një hetim ndërkombëtar për rastin.

Rrezikimi i sigurisë nxiti edhe reagimin e ndërkombëtarëve. Sulmi u dënua ashpër nga KFOR-i nga i cili thanë se autorët e tij duhet të sillen para drejtësisë. Nga EULEX-i vlerësuan veprimet e shpejta të autoriteteve të Kosovës për të menaxhuar situatën.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier deklaroi se SHBA-ja po e monitoron situatën nga afër dhe se po ndihmon në identifikimin e kryerësve të sulmit.

Mbështetje për vendin ofroi edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, i cili dënoi fuqishëm sulmin.

Ndërsa, hetim të rastit kërkuan edhe ambasadori i Britanisë në Kosovë, ai i Finlandës dhe Austrisë.

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj e kryeministri Edi Rama, aktin e konsideruan si krim të rëndë i cili cenon jetën e qytetarëve.

Pavarësisht dyshimeve të ngritura se shteti serb qëndron prapa këtij sulmi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka pretenduar se Beogradi nuk ka të bëjë me të. Vuçiq ishte distancuar edhe nga sulmi terrorist i Banjskës, edhe pse u dëshmua se i njëjti ishte dirigjuar nga Serbia.

Në orët e para të së shtunës është mbledhur Këshilli i Sigurisë në Kosovë, i cili mori vendim për të aktivizuar FSK-në dhe policinë në sigurimin e objekteve dhe disa prej liqeneve, kanaleve dhe urave. /RTK/

Share This