Hamza: Brenda vitit 2025 me mua kryeministër pagat do të rriten për 50%

Hamza: Brenda vitit 2025 me mua kryeministër pagat do të rriten për 50%

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, tha se pjesë e premtimeve të tij elektorale është rritja e pagave prej 50%, dhe se kjo do të ndodh në gjysmën e parë të vitit 2025.

“Unë kam dalë me program dhe premtime, me kalkulim të saktë dhe po është premtim elektoral, por dallimi mes meje dhe të tjerëve është se derisa e them e mendoj mirë, por kur e them i qëndroj prapa. Premtimi im për rritje të pagave 50%, për infermierët, mjekët, mësuesit, arsimtarët, profesorët, policët, ushtarët, zjarrfikësit dhe shërbyesit civil. Kjo do të bëhet në vitin e parë të mandatit qeverisës. Ne prill është reale me pritë qeverinë e ardhshme dhe afati optimal është që derisa të përgatitet rishikimi i buxhetit, se kësaj duhet t’i paraprijë rishikimi i buxhetit, dhe unë mendoj që në pjesën e dytë të vitit dhe njerëzit me i marrë pagat me rritje”, tha Hamza në Rubikon të Klan Kosovës.

Tutje kandidati i PDK-së tha se në programin e tij parashihet rritje edhe për pensionistët, derisa shtoi se rritja prej 20 eurosh që u bë nga Qeveria Kurti nuk është fare rritje, pasi nuk është në nivelizim me normën e inflacionit.

“Pensioni më u ulët do të jetë 200 euro, pensionet e pensionistëve kontributdhënës do rriten mbi rritjen aktuale për 30%, plus do të ketë përshkallëzim të viteve në punë, është vendosur një standard 15 vjet, s’ka logjikë dhe arsyetim pse 15, pse jo 10, ose 20 dhe ka njerëz që i ka 14 vjet e 8 muaj dhe s’mund ta gëzoj pensionin kontributdhënës, kjo do të përshkallëzohet”, tha Hamza/ Klankosova.tv

Share This