Bislimi:Në gatishmëri për përmbushjen e standardeve të BE-së për anëtarësim
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë qëndrimit në Poloni, ka vijuar me një takim të përbashkët me deputetë të Parlamentit të Polonisë, anëtarë të grupit parlamentar Poloni-Ballkan. Pjesëmarrës ishin kryesuesi i këtij grupi parlamentar Tomasz Glogowski, zëvendëskryesuesi Szymon Szynkowski Vel Sek, dhe anëtari Krzysztof Sobolewski.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit,theksohet se zëvendëskryeministri Bislimi ka shprehur vullnetin e gatishmërinë e qeverisë për thellim të marrëdhënieve me Poloninë, veçanërisht në rrafshin ekonomik dhe zgjerimin e potencialit të bashkëpunimit dhe investimeve.
“Ai përmendi dhe rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit në fusha si shkëmbimi tregtë ar, siguria e mbrojtja dhe kultura. Më tej, shtoi synimet e Kosovës në lidhje me anëtarësimin në BE, NATO dhe Këshill të Evropës, si objektiva të rëndësishme dhe kontribuese në avancimin e zhvillimin e vendit”, thuhet në njoftim, raporton rtk.
Bislimi mes tjerash ka folur edhe për procesin e anëtarësimit në BE, duhe bërë me dije se institucionet e Kosovës qëndrojnë në gatishmëri për përmbushjen e standardeve.
“Veçanërisht në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, theksoi aplikimin e Kosovës të dhjetorit të vitit 2022 dhe nevojën për hapa të rëndësishëm përpara, me pranimin e pyetësorit, vlerësimin në baza meritokracie, dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, për çka institucionet tona qëndrojnë në gatishmëri të plotë për përmbushjen e afateve dhe standardeve të vendosura nga Bashkimi Evropian”, thuhet në komunikatë.
Siç bën të ditur Zyra e Kryeministrit, deputetët polakë kanë shfaqur perspektivën për marrëdhënie më të fuqishme me Kosovën.
“Kryesuesi i Grupit Parlamentar Poloni-Ballkan, Tomasz Glogowski, shprehu rëndësinë e partneritetit mes Kosovës dhe Polonisë, ndërsa nënkryetari Szymon Szynkowski Vel Sek, teksa rikujtoi vizitën e tij në Kosovë në vitin 2022 dhe takimin me zëvendëskryeministrin Bislimi, theksoi sesa kanë avancuar vitet e fundit marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe rrugën përpara në thellimin e tyre”, vijon njoftimi.