Shqipëri-Çeki, s’ka gola në ‘Air Albania’, ende ka shpresë për vendin e parë

Shqipëri-Çeki, s’ka gola në ‘Air Albania’, ende ka shpresë për vendin e parë

Kombëtarja e Shqipërisë nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim pa gola ndaj Çekisë në Air Albania.

Kuqezinjtë u takuan me çekët në kuadër të xhiros së pestë të Ligës së Kombeve, me të dy kombëtaret që po luftojnë për vendin e parë në grup, që çon direkt në promovim në Ligën A.

Mysafirët e nisën më mirë takimin, duke pasur një dominim të lehtë, e herë pas here duke rrezikuar, por Thomas Strakosha tregoi cilësitë e tij në rastin më të mirë të ndeshjes, duke parandaluar që kuqezinjtë të pësonin gol.

Në anën tjetër, Shqipëria, nuk u tregua shumë e rrezikshme në 45 minutat e para, me vetëm minutat e fundit të pjesës së parë që dolën në zonën e kundërshtarit, por që tentimi i Qazim Laçit ishte i lehtë për portierin Kovar.

Deri në sinjalizim për fundin e pjesës së parë nuk pati ndryshim, me skuadrat që shkuan në pushim me rezultatin 0:0.

Në pjesën e dytë Shqipëria e Sylvinhos ishte më kërkuese, ndonëse në të dy anët munguan rastet e mira të shënimit.

Të dy portierët bënë nga një pritje në pjesën e dytë, për të shpëtuar skuadrat e tyre nga pësimi i golit.

Deri në përfundim nuk pati ndryshim dhe takimi në Air Albania u mbyll pa gola.

Shqipëria vazhdon të mbetet në vendin e tretë por tani me shtatë pikë, aq sa ka Gjeorgjia e vendit të dytë. Çekia në anën tjetër është në vendin e parë me tetë pikë, e Ukraina në vendin e fundit me pesë.

Përballjet e fundit të këtij grupi janë pas tre ditësh, ku Shqipëria e pret Ukrainën, ndërsa Gjeorgjia udhëton te Republika e Çekisë.

Share This