Federata e Futbollit të Kosovës konfirmon sulmin e zyrtarëve rumun ndaj Edon Zhegrovës
Pas përfundimit të ndeshjes Rumani – Kosovë, është publikuar një video ku dyshohej se ka pasur një sulm ndaj futbollistit Edon Zhegrova nga zyrtarët rumunë.
Tashmë këtë e ka konfirmuar edhe Federata e Futbollit të Kosovës, përmes deklaratës publike rreth ngjarjeve që ndodhen në Bukuresht.
”Për më tepër, pas ndeshjes, një zyrtar rumun ndërhyri në konferencën për shtyp të Kombëtares së Kosovës, duke larguar gazetarët dhe më pas, në një veprim të papranueshëm, kërcënoi dhe sulmoi një lojtar të Kosovës në korridoret e stadiumit. Kjo sjellje e turpshme dhe e papranueshme çoi në reagimin e menjëhershëm të përfaqësuesve të FFK-së.”, thuhet në deklaratën e FFK-së.
FFK-ja po ashtu ka njoftuar se kanë nisur përgatitjet për një ankesë të plotë në UEFA për ndeshjen Rumani – Kosovë.
”Për të gjitha këto shkelje të rënda, FFK ka raportuar menjëherë incidentet tek delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s.
Ne besojmë se UEFA do të veprojë në përputhje me vlerat e saj themelore për të dënuar ashpër gjuhën raciste dhe veprimet e tjera të papranueshme që ndodhën gjatë kësaj ndeshjeje.
FFK riafirmon angazhimin e saj për të mbrojtur dinjitetin e Kombëtares së Kosovës dhe vlerat e futbollit, por edhe parimet e UEFA-s e FIFA-s për futboll pa politikë dhe respektim të ‘fair-play’-it, si një lojë që duhet të bashkojë dhe jo të ndajë. Racizmi dhe diskriminimi nuk kanë vend në sport dhe as në shoqërinë tonë.”, thuhet mes tjrash në deklaratë.