Panairi i Librit “Tirana 2024”, 90 botues pjesëmarrës

Panairi i Librit “Tirana 2024”, 90 botues pjesëmarrës

U hap sot në Pallatin e Kongreseve, Panairi i 27-të i Librit “Tirana 2024”, ngjarja më e shënuar për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, Panairi do të zhvillohet nga data 13 deri më 17 nëntor.

Gjatë këtyre ditëve publiku mund të vizitojë stendat e shtëpive botuese, në një hapësirë prej 1500 m², të takohet me shkrimtarët e përkthyesit, të blejë botime me çmim të reduktuar por edhe të marrë pjesë në aktivitetet promovuese, nga ora 09:00 – 21:00. Janë gjithsej 90 botues pjesëmarrës në panair, një pjesë e tyre edhe Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Rreth 50 organe të medias do të ndjekin këtë ngjarje, për të raportuar mbi 100 veprimtaritë dhe 60 promovimet që janë programuar të ndodhin.

Siç është bërë dhe traditë tashmë, një juri e veçantë do të ndajë dhe çmimet e Panairit për veprat më të mira të vitit 2024. Këtë vit juria është e përbërë nga profesionistë të njohur në fushën e letrave: Anisa Ymeri, gazetare e kultures; Ben Andoni, publicist e përkthyes; Ilir Baçi, përkthyes; Ledia Dushi, poete e përkthyese; Luli Sula, studiuese e letërsisë, pedagoge në UT.

Share This