Onana kërkon falje: E humbëm ndeshjen për fajin tim, e vështirë kur mposhtesh kështu
Andre Onana ka qenë protagonist i ndeshjes mes Bayern Munich dhe Manchester Unitedit.
Por jo ashtu siç do të donte të ishte portieri kamerunas. Ai gaboi në momentin e golit të parë të Sane, teksa lejoi t’i ikte topi pas një goditje jo shumë të fortë, ndërsa edhe më vonë tregoi shpesh pasiguri.
Ndaj “gardiani” doli para mediave në fund të sfidës dhe kërkoi falje për paraqitjen e tij.
“Është e vështirë kur mundesh kështu. Pas gabimit tim humbëm kontrollin e ndeshjes. Është një situatë e vështirë për ne, sidomos për mua pasi jam unë ai që la në baltë skuadrën.
Skuadra ishte shumë e mirë, por nuk e fituam këtë ndeshje. Ne tani duhet të shohim para pasi kjo është jeta e një futbollisti. Më duhet ta pranoj se për shkakun tim nuk e fituam këtë ndeshje. Kam shumë për të treguar”, ishte autokritika para mediave e portierit të Manchester United.