Bellingham sërish hero i Real Madridit, Galatasaray merr një pikë në trilerin e Stambollit
Real Madrid në kohën shtesë ka siguruar fitoren ndaj Union Berlinit, derisa Galatasaray me mund arriti një barazim në shtëpi ndaj Copenhages.
“Los Blancos” me shumë vështirësi arkëtuan pikët e plota në “Santiago Bernabeu”, duke triumfuar me rezultat minimal 1:0.
Pavarësisht dominimit në të gjitha aspektet, Real Madrid deri vonë as s’ishte afër ta thyente mbrojtjen e klubit gjerman.
Madrilenët e nisën për mrekulli duke pasur raste të mira shënimi me Rodrygon dhe Joselun por që nuk i konkretizuan.
E njëjta situatë vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku vetëm Joselu kishte mbi tre mundësi shënimi brenda zonës por që assesi s’e mposhti portierin Ronnow.
Heroi për Real Madridin ishte mesfushori Jude Bellingham që realizoi në portën e zbrazur pas një topi të kthyer nga goditja e Valverdes (90+5’).
Kësisoj, Real Madrid merr primatin në grupin C me tre pikë derisa Union Berlin në fund pa pikë, shkruan nacionale.
Në anën tjetër, Galatasaray me shumë mund ka fituar një pikë në shtëpi ndaj Copenhages, që përfundoi me rezultat 2:2.
Galata e nisi për mrekulli duke pasur dy raste të arta me Icardin dhe Akturkoglu, por asnjëri s’i finalizuan nga afërsia.
Kur askush nuk e priste, Copenhagen krijoi një aksion të shpejtë ku Lukas Lerager gjeti për mrekulli Mohamed Elyounussi që shënoi me kokë (35’).
Ekipi mysafir më pas e dyfishoi epërsinë me anë të Diogo Gonçalves pas një asistimi të Melling (58’).
Sidoqoftë, problemet nisën kur Copenhagen mbeti me një lojtar më pak shkaku që Georgi Kabakov mori kartonin e dytë të verdhë (73’).
Galata pas kësaj arriti të këndellet duke shënuar dy gola brenda dy minutave.
Fillimisht Sacha Boey ngushtoi epërsinë pas një asistimi të Tetes (86’).
Kurse qysh në aksionin tjetër, Tete barazoi rezultatin me një gol të bukur pas një asistimi fantastik të Zahas (88’).
Galata dhe Copenhagen tani kanë nga një pikë në grupin A, ku ndodhen edhe Man United dhe Bayern Munich.