Hakimi: Mbappe e meriton ta fitojë Topin e Artë para Messit dhe Haalandit
Mbrojtësi i Paris Saint-Germain, Achraf Hakimi mendon se bashkëlojtari i tij, Kylian Mbappe, e meriton ta fitojë Topin e Artë 2023, para Lionel Messit dhe Erling Haalandit.
Reprezentuesi maroken e ka mbështetur Mbappen në rrugëtimin e tij për ta fituar çmimin më prestigjioz individual në futboll për herë të parë në karrierën e tij, pas fillimit të jashtëzakonshëm të francezit, i cili shënoi në fitoren 2-0 të PSG-së ndaj Borussia Dortmund në Ligën e Kampionëve.
“Në krahasim me atë që ka bërë vitin e kaluar, për mua, ai e meriton të fitojë Topin e Artë. Ai është një lojtar i madh dhe shpresoj që ai mund ta fitojë këtë vit”, ka thënë Hakimi për beIN Sports.
Messi momentalisht është favoriti kryesor për ta çuar në tetë numrin e trofeve të këtij çmimi individual, pas triumfit në Kupën e Botës në Katar, vitin e kaluar me Argjentinën.
Haaland gjithashtu është njëri ndër kandidatët serioz pasi ka shënuar 56 gola në sezonin e tij debutues me Manchester City, ku fituan edhe tripletën.
Mbappe ndonëse e humbi titullin e Kupës së Botës në finale ndaj Argjentinës, ai ishte golashënuesi më i mirë i kësaj gare, duke shtuar këtu edhe 41 golat që i shënoi në nivel klubi për PSG-në në sezonin 2022/23. /Telegrafi