Statistikat, Bajerni “i pathyeshëm” në grupe, Myler drejt legjendës
Ndeshja mes Bajernit dhe Junajtidit, e cila do të transmetohet sot për publikun shqiptar falas në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, do të jetë e veçantë për Tomas Mylerin dhe skuadrën bavareze.
Siç dihet Bajerni merr pjesë sot për herë të 27 në Champions League ndërsa vetëm Reali dhe Barcelona kanë mundur që të marrin pjesë më shumë, 28. Ndërsa Junajtid merr pjesë në Champions për herë të 25-të. Ekipi i Ten Hag është ai me më shumë prezenca në këtë ligë mes klubeve angleze.
Sa i përket ndeshjeve të para Bajerni është kthyer në një “sentencë” për rivalet pasi nuk gabon thuajse kurrë. Ekipi bavarez ka fituar plot 19 takimet e para të luajtura në 19 edicionet e fundit të Champions-it. Golaverazhi është një tjetër tregues i superioritetit pasi është 47-2 në favor të ekipit bavarez.
Bajerni mban rekord pasi nuk ka pësuar asnjë humbje në 34 ndeshjet e fundit të luajtura në grupe. Një tjetër rekord është edhe ai i 13 takimeve të fundit të fituara në këtë fazë.
Bajerni ka shënuar të paktën një gol në 40 takimet e grupeve që ka zhvilluar në fushën e vet. Prej këtyre ndeshjeve ka fituar 38 ndërsa një herë ka barazuar dhe një herë ka humbur.
Takimi i sotëm është i veçantë për Tomas Mylerin, i cili me një fitore do të bëhej lojtari i tretë i kompeticionit me 100 fitore.
Më mirë se Myler ka bërë vbetëm Kristiano Ronaldo dhe Iker Kasijas të cilët numërojnë respektivisht 115 dhe 101 fitore.