AAK: Miratimi i planit hapësinor – detyrë urgjente

AAK: Miratimi i planit hapësinor – detyrë urgjente

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kritikuar, sipas tyre, vonesën në miratimin e planit hapësinor dhe hartës zonale të Kosovës, duke theksuar se mungesa e këtyre dokumenteve po pengon zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe veçanërisht sektorin e turizmit malor.

“Mungesa e Planit Hapësinor dhe Hartës Zonale po shkakton zhvillim të paorganizuar, dëmtim të mjedisit dhe kufizim të investimeve strategjike,” thuhet në deklaratën e AAK-së.

Sipas këtij subjekti politik, komunat dhe investitorët po përballen me vështirësi të mëdha në vendimmarrje dhe në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit.

AAK thekson se miratimi i këtyre dokumenteve do të mundësonte zhvillimin e integruar të turizmit malor, duke identifikuar zonat me potencial të lartë turistik dhe duke ofruar siguri për investitorët.

“Një qeveri e ardhshme e Aleancës do të angazhohet në thjeshtësimin e procedurave për lejet ndërtimore dhe hartimin e një ligji të posaçëm për zonat turistike malore”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

AAK paralajmëron se situata aktuale rrezikon të dëmtojë mjedisin përmes ndërtimeve të pakontrolluara dhe të pengojë rritjen e mirë organizuar të vendit.

Share This