Bie indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi për (TM3) 2024.
Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë.
Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
Në TM3 2024, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për (-9.6%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.
Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 4,7%. Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rënie për(-6.3%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.
Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve.
Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.