Kaos në klubin francez, presidenti kërcënohet me jetë nga ultrasit
Nuk kanë fund telashet për Marseille në këtë fillim sezoni, teksa paraditen e të martës, klubi francez u përball me dorëheqjen e parevokueshme të trajnerit spanjoll Marcelino.
Ky i fundit erdhi në klubin francez në verë për të zëvendësuar kroatin Igor Tudor, por që në fillim u përplas me presidentin Pablo Longoria për eliminimin nga Champions League dhe krisja arriti maksimumin paraditen e të martës, kur Marcelino dorëzoi në zyrat e klubit dorëheqjen.
Megjithatë mediet franceze raportojnë se pas trajnerit, edhe presidenti Pablo Longoria po mediton largimin, pasi ka marrë kërcënim me jetë nga disa prej ultrasve të klubit të Marseille.
Raportet e presidentit me tifozërinë janë prishur prej kohësh dhe ky moment mund të shënojë edhe fundin e periudhës së tij në krye të Marseille, post që e mban që prej vitit 2020.
Vlen të theksohet se të gjithë këto zhvillime vijnë vetëm dy ditë para transfertës holandeze ndaj Ajaxit, në Europa League.