Pefqeli fiton çmimin ‘Ylli i Javës’

Pefqeli fiton çmimin ‘Ylli i Javës’

Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin ‘Ylli i Javës’.

Ky çmim për javën e 12-të në Superligë i është ndarë futbollistit të KF Dukagjini, Mërgim Pefqeli.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Vllaznim Visoka, Muhamet Sylejmani dhe Emin Sekiraqa.

Ky komision vendosi që çmimi ‘Ylli i Javës’ për xhiron e dymbëdhjetë t’i takojë Mërgim Pefqelit, i cili, përveç që shënoi golin e epërsisë, dha shumë kontribut për skuadrën e tij, KF Dukagjini, në ndeshjen në transfertë kundër Gjilanit, të cilën e fitoi me rezultat 1:2.

Pasi mori këtë çmim, Pefqeli u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës.

“Kemi pasur një ecuri të mirë në 4 ndeshjet e fundit. Ka qenë një punë e stafit teknik që në këto 4 ndeshje të fitojmë pikët. Ka qenë çdo lojtar në çdo repart shumë kompakt. Në fillim të kampionatit kemi pasur shumë prurje, dhe me punën e stafit dhe punën e trajnerit Ismet Munishi, kemi arritur të komponohemi shumë mirë. Tashmë jemi më afër daljes në Evropë, me më shumë pikë se sa zonat e rrezikshme, dhe shpresoj që do të vazhdojmë performancën e tillë. Falënderoj shokët e skuadrës, stafin dhe në veçanti kryetrajnerin Munishi, sepse pa ta nuk do të shpallesha më i miri i xhiros”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

Share This