“Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”, tryezë shkencore ndërkombëtare
Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë Krahasuese dhe Indoeuropiane dhe të Albanologjisë, pranë Universitetit “Ludwig Maximilian” të Mynihut organizon tryezën shkencore ndërkombëtare: “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”.
Kjo veprimtari shkencore do të mbahet sot e nesër (4-5 nëntor 2024), ku do të referojnë mbi 25 studiues nga vendi dhe bota.
Veprimtaria u çel nga Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi.
Tryeza shkencore merr shkas nga arritjet e fundit në fushën e gjuhësisë indoeuropiane, të mbështetura në metoda të kombinuara ndërdisiplinore. Fjala është në radhë të parë për artikullin e revistës amerikane “Science”, me autor Paul Heggarty dhe 33 bashkautorë i cili, duke u mbështetur në të dhënat e gjuhësisë historike-krahasuese, arriti në përfundimin që përcakton një origjinë 8100 vjeçare të gjuhës së përbashkët indoeuropiane, e cila mbas 1000 vjetësh filloi të degëzohet e të shpërndahet. Studimi përfshin edhe gjuhën shqipe, me tre variante të saj, variantin standard, gegërishten dhe arbërishten, ku analizat krahasuese dhe statistikore nxirrnin një shkëputje të hershme 6000 vjet më parë të gjuhës shqipe.
Në konferencë do të referojë autori kryesor i studimit, duke u përqendruar në të dhënat e shqipes. Pritet të konfirmohet ndarja e hershme 6000 vjeçare e shqipes, origjina e përbashkët 8100 vjecare dhe kalimi i paraardhësve të shqiptarëve jo në degëzimin verior përmes stepës por në lëvizjen lindje-perëndim drejt Gadishullit ballkanik.
Kryetari i ASHSH, akad. Gjinushi pasi falenderoi pjesëmarrësit në tryezën shkencore, tha se kjo tryezë është një hap i mëtejshëm përparues në vazhdën e arritjeve të Kuvendit të Dytë të Studimeve Albanologjike, që u organizua në Tiranë tre vjet më parë.
“Studimi që kanë realizuar profesor Paul Heggarty dhe 33 bashkautorët e nderuar në revistën “Science”, duke i njohur shqipes si origjinë të përbashkët e pikënisje të identifikimit të saj, një hershmëri relative prej 6-8 mijë vjetësh zgjoi vëmendjen jo vetëm ndër dijetarët albanologë, duke nxitur interesin te ne që ta ftonim e organizonim këtë dëgjesë me profesorin e këtë diskutim shkencor së bashku me ju që jeni këtu të pranishëm e që na nderoni aq shumë”, tha akad. Skënder Gjinushi.
Sipas Gjinushit, popujt janë të ndjeshëm ndaj origjinës së tyre e të gjuhës së tyre. Interesin e rrit fakti se, çfarë po konfirmohet me studimet e reja jo vetëm që nuk shkon kundër arritjeve të indoeuropeistikës, por vjen në përforcim, saktësim e pasurim të tyre. /ATSH/