Serbia zvarrit çështjen e të pagjeturve, kërkon që Kosova të përfaqësohet nga UNMIK-u
Pas takimit të fundit të kryenegociatorëve, larg ballinave të lajmeve mbetën zhvillimet në një prej proceseve që qëllimshëm zvarritet me dekada nga Serbia.
Për më tepër, nga Serbia, u bënë akuza se Kosova ka bërë komente që e kanë bllokuar zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Megjithatë, diçka tjetër qëndron prapa strategjisë së akuzave nga Serbia, shteti që vrau mbi 13 mijë njerëz në Kosovë.
“Serbia po insiston, dhe ka thënë kështu bukfalisht se ndryshe nuk bënë hiq, se është UNMIK-u ajo që e përfaqëson Kosovën, që të jetë Kosova jo Kosovë, po që të jetë në Institucione të Përkohshme të Vetëqeverisjes, që kanë qenë para 20 viteve”, ka thënë Andin Hoti – Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Në kuadër të dialogut, deklarata për personat e zhdukur e cila synon zgjidhjen e fatit të të pagjeturve, është miratuar më 2 maj 2023, dhe me të janë pajtuar edhe Kosova edhe Serbia.
Për ta zbatuar përmbajtjen e planit të deklaratës, parashihet një komision i përbashkët që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, dhe në këtë Komision Serbia po pretendon që Kosova të përfaqësohet me UNMIK, dhe me shkurtesën IPVQ, Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse.
“Mendoj se i ka dhënë goditje fatale komplet dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, jo vetëm çështjes së personave të zhdukur por komplet dialogut, sepse Serbia po të thotë kthehu ti para Pavarësisë së Kosovës, po të thotë kthehu në 2004-5-6”, ka thënë Andin Hoti – Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Hoti i quan gënjeshtra pretendimet e kryenegociatorit serb Petkoviq, edhe për diskutimet e edhe për propozimet që kinse ka bërë pala serbe. Sipas tij Kosova e ka refuzuar këtë kërkesë absurde dhe të papranueshme, dhe puna ka ngecur tek drafti për formimin e Komisionit të përbashkët.
Serbia ka shkuar edhe më larg, duke tentuar që UNMIK-un ta mbajë në përfaqësim me një letër tjetër, një lloj aneksi të deklaratës për personat e zhdukur.
Këto propozime të papranueshme për delegacionin e Kosovës vlejnë edhe në raport me mbikëqyrjen që ky komision do ta kishte edhe ndaj grupit punues të ndërmjetësuar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, aty ku bashkëpunojnë dhe komunikojnë të dyja palët.
Të gjitha këto zhvillime përfshirë edhe tentimin nga pala serbe që të propozohet një lloj aneksi i deklaratës për të pagjeturit e konfirmuar edhe Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi.
“Një nga temat e trajtuara në takimin bilateral me emisarin Lajçak të enjten e javës së kaluar në Bruksel, ka qenë dhe çështja e personave të zhdukur me dhunë. Përsëri, Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës së përbashkët. Serbia insiston të shtohet një “side letter” krah deklaratës së përbashkët, duke zvarritur edhe më tej fillimin e zbatimit të saj. Për të ardhur keq është fakti që Serbia vijon ta keqpërdorë për qëllime politike një çështje të një urgjence humanitare siç është ajo që lidhet me personat e pagjetur”, tha Klisman Kadiu.