Tre kuqezinj protagonistë në Champions League
Champions League është gati për startin e sezonit 2023-24 e midis protagonistëve nuk mungojnë as ata me ngjyrat kuqezi.
Tre lojtarë të kombëtares shqiptare do të jenë pjesëmarrës me skuadrat e tyre në ndeshjet e grupeve, nga veterani tashmë Elseid Hysaj deri te debutuesi Arbnor Muja. Mes tyre është Kristjan Asllani, që e shijoi vitin e kaluar aventurën evropiane.
Midis kuqezinjve, Hysaj është lojtari me më tepër ndeshje në Champions League, 18, dhe sot me Lacion përballë Atletico Madrid mund të luajë të 19-tën, nëse do të ketë kapërcyer dëmtimin e marrë në humbjen 1-3 me Juventusin në kampionat.
Po sot luan edhe debutuesi Arbnor Muja, i cili me Antuerp viziton Barcelonën në “Ciutat Esportiva”. Muja, autor i dy golave në kampionatin belg, luajti në dy ndeshjet kualifikuese kundër AEK-ut të Athinës.
Të mërkurën është radha e Kristjan Asllanit me Interin, edhe ai përballë një kundërshtari spanjoll, në fushën e Real Sociedad. Asllani ka luajtur pesë ndeshje në Champions League, të gjitha sezonin e kaluar, nga të cilat ka mbetur në kujtesë rasti i humbur në fundin e lojës kundër Barcelonës në Camp Nou.