Kurti: Unë s’mund të themeloj asociacion të komunave si kryeministër

Kurti: Unë s’mund të themeloj asociacion të komunave si kryeministër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se ai, si kryeministër i vendit, nuk mund ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili është ndër kërkesat kryesore ndaj Kosovës sipas një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes saj dhe Serbisë.

Duke folur në një konferencë për medie, Kurti ka thënë se ai, megjithatë, kishte shprehur gatishmëri ta nënshkruante një draft-statut për Asociacionin në mars 2023 në Ohër, kur Kosova dhe Serbia kishin arritur pajtueshmëri për aneksin e Marrëveshjes Bazë.

“Unë kam ofruar ta shkruaj draft-statutin më 18 mars 2023 në Ohër, por jam refuzuar. Por, në anën tjetri, më lejoni të theksoj se jam kryeministër i republikës demokratike. Meqë Kosova është republikë demokratike, kryeministrat nuk formojnë asociacione komunash”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se themelimi i një asociacioni nuk duhet të jetë i imponueshëm dhe se Kosova tashmë e ka një asociacion komunash, duke iu referuar Asociacionit të Komunave të Kosovës.

“Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen e bashkëpunojnë. Ju e dini se ne tashmë e kemi një Asociacion të Komunave të Kosovës. Nëse dikush e dëshiron një asociacion tjetër, atëherë ai duhet të vijë nga dikush tjetër. Nëse kryeministri do ta themelonte atë, asociacioni do të ishte imponim ndaj komunave”, ka thënë ai.

Më tutje, Kurti ka ngulur këmbë se themelimi i asociacionit duhet të jetë zgjedhje “e lirë dhe e drejtë”

“Dhe, këtë s’e bëj unë, e aq më pak një shtet fqinj”, ka thënë Kurti duke iu referuar Serbisë.

Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia e kanë pranuar marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe një nga pikat e saj kërkon që komunitetit serb në Kosovë t’i ofrohet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit, përkatësisht Asociacioni.

Share This