Ceferin: Rusia, jashtë kompeticioneve evropiane deri në fund të luftës
“Rusia, e përjashtuar nga garat evropiane të futbollit deri në fund të luftës”.
Kështu është shprehur presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, në një intervistë për faqen sllovene N1.
Ceferin fokusohet edhe në vendimin për të ndërprerë kontratën e sponsorizimit me rusët Gazprom, sponsorë të Champions League dhe kompeticioneve të tjera të UEFA-s për rreth dhjetë vjet.
“Thjesht duhej bërë, si një lloj akti simbolik. Vetëm pas fillimit të luftës, në stadiumet ku qindra miliona njerëz i shikojnë ndeshjet, ne shfaqëm reklamat e kësaj kompanie. Më vjen keq që kjo është kështu, por ne duhej ta bënim. Por është gjithashtu fakt që ata që ende blejnë gaz nga e njëjta kompani janë të njëjtët që e vënë në pah më shumë këtë aspekt”.
Dhe atyre që pyesin nëse nuk do të ishte e përshtatshme të vlerësohej përshtatshmëria e sponsorit në lidhje me vlerat e UEFA-s qysh përpara luftës, Ceferin u përgjigjet: “Jo, më duket si populizëm i pastër. Evropa nuk është pikërisht një kampion bote as në fushën e të drejtave të njeriut dhe ne e dimë mirë. Dhe populistët që thonë se me kë nuk duhet të bëjmë biznes, e bëjnë thjesht për vetpromovim. Ne kthejmë 97% të të gjitha parave që fitojmë me futbollin dhe do të bëj gjithçka për ta zhvilluar më tej këtë sport në të gjithë Evropën”.
“Nuk do të listoj sponsorë të tjerë apo kompani të tjera në Evropë, por shumë kompani të tjera kritikohen në një mënyre apo në tjetër. Dhe pastaj lind pyetja: me kë mund të bësh akoma biznes? Njerëzit do të donin që ne të investonim sa më shumë në futboll, por në të njëjtën kohë nuk i kemi marrë para praktikisht askujt. Siç më tha presidenti i një klubi anglez: tifozët duan lojtarët më të shtrenjtë dhe biletat më të lira të mundshme. Është pak e vështirë për t’u pajtuar”.