Abdixhiku ia publikon Kurtit videon ku premtonte 160 çerdhe: Fëmijët e Kosovës meritojnë më shumë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes një videoje në “Facebook” ka thënë se nuk është realizuar premtimi i kryeministrit Albin Kurti për ndërtimin e 160 çerdheve të reja dhe shujtat falas për nxënësit e klasave 1-5.
Ai ka publikuar një video ku Kurti dëgjohet duke thënë: “Do të kujdesem që për fëmijët tuaj të krijojmë vende të mjaftueshme në çerdhe duke i shtuar edhe 160 çerdhe në gjithë vendin, dhe të kemi shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën”.
Abdixhiku ka bërë me dije se vetëm 4 çerdhe janë realizuar dhe se fëmijët e Kosovës meritojnë më shumë.
“Në politikë, valuta e vetme është fjala e dhënë – zotimi i bërë. 160 çerdhe të premtuara, vetëm 4 të realizuara. Fëmijët e Kosovës meritojnë më shumë! Ndryshimi po vjen!”, ka shkruar Abdixhiku.