Përfundojnë procedurat e shpronësimit për rinovimin e “Adem Jasharit”

Përfundojnë procedurat e shpronësimit për rinovimin e “Adem Jasharit”

Tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat e shpronësimit për renovimin e stadiumit të Mitrovicës, ‘Adem Jashari’.

Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë tash e disa vite ka mbetur jashtë funksionimit për shkak të demolimit të tij, por duket se ai do t’i rikthehet normalitetit shumë shpejtë.

Qeveria e Republikës së Kosovës pak ditë më parë kishte ndarë 12 milionë euro për rinovimin e tij, derisa tashmë ministri i Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë të ditur se tashmë kanë përfunduar edhe procedurat e shpronësimit gjë që i hap rrugë nisjes së punimeve për rinovimin e tij.

“Kemi përfunduar të gjitha procedurat e Shpronësimit për Renovimin e Stadiumit të Mitrovicës, ‘Adem Jashari’. Edhe pse shpronësimi solli vonesa në ecurinë e këtij projekti shumë të rëndësishëm, pas një koordinimi dhe bashkëpunimi të suksesshëm ndërinstitucional, kemi përfunduar të gjitha procedurat e shpronësimit, në mënyrë që Stadiumi i Mitrovicës ‘Adem Jashari’, më në fund të vihet në rrugën e duhur, kështu që të jetësohet e ta gëzojnë të gjithë qytetarët”, ka shkruar Aliu në “Facebook”.

Share This