Vlerësohet pozitivisht performanca ekonomike e Kosovës
Në vijim të takimeve me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u takua me zëvendëskryeekonomistin e Bankës Botërore, Ayhan Kose.
“Tema e diskutimit ishte zhvillimi ekonomik i vendit dhe shfrytëzimi i potencialit që ka Kosova për përshpejtim të rritjes ekonomike. Në takim u diskutua edhe për investimet aktuale në sektorin e energjisë si dhe reformat afatgjata që aktualisht po bëhen nga Qeveria, përfshirë edhe pakon e fundit të reformave të dakorduar me BE-në në kuadër të Planit të Rritjes”, thuhet në komunikatën e MFPT-së.
Gjatë diskutimit, u këmbyen ide edhe për mobilizimin e investimeve në sektorin privat, duke mundësuar qasje më të mirë në financa, ku me theks të veçantë u fol edhe për dritaren e sapokrijuar për Investime të Diasporës.
“Kose e vlerësoi pozitivisht performancën ekonomike të Kosovës përkundër sfidave globale, duke rikonfirmuar se vendi ka potencial për përshpejtim të mëtutjeshëm të rritjes ekonomike”, ”, thuhet në komunikatën e MFPT-së.