Kurti: Austria dhe Kosova kanë ndërtuar partneritet të fortë gjatë dekadave
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Austrisë në shënim të Ditës Kombëtare të Austrisë, ka deklaruar se Austria dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet të fortë gjatë dekadave, duke filluar me ndihmën tuaj gjatë viteve të vështira të okupimit dhe luftës dhe më pas duke vazhduar me njohjen e pavarësisë sonë në vitin 2008.
Në fjalën e tij, ai tha se është një kënaqësi e madhe të festojnë së bashku Ditën Kombëtare të Austrisë, një vend me rëndësi të madhe për Republikën tonë, për mbështetjen politike dhe ekonomike që na ka dhënë ndër vite, por edhe për lidhjet tona të forta kulturore dhe historike.
Por sot, tha më tej ai, marrëdhëniet tona kanë marrë një dimension të ri. Me rreth 100,000 kosovarë dhe shtetas austriakë me origjinë nga Kosova që jetojnë, punojnë dhe studiojnë në Austri, ne kemi krijuar një urë të qëndrueshme ndërmjet popujve tanë, një urë të ndërtuar mbi respektin reciprok dhe vlerat e përbashkëta.
“Eksportet dhe importet ndërmjet dy vendeve tona janë gjithnjë në rritje, ndërsa sipas Bankës Qendrore të Kosovës pothuajse gjysmë miliard euro është shuma e investimeve direkte austriake në vendin tonë”, shtoi ai, ku ndër tjera tha se përveç investimeve të rëndësishme austriake në sektorin bankar, energjetik dhe të shërbimeve të Kosovës, kemi forcuar edhe lidhjet kulturore dhe artistike.
Kryeministri gjithashtu nënvizoi edhe mbështetjen e fortë austriake ndaj Kosovës në integrimin evropian dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, derisa falënderoi edhe ushtarët austriakë të KFOR-it për kontributin e tyre për paqen dhe sigurinë jo vetëm në vendin tonë por në mbarë rajonin. “Me angazhimin dhe përkushtimin e saj, Austria është padyshim pjesë e historisë së Kosovës dhe e ardhmja e Kosovës”, theksoi ai.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin Schnetzer për përkushtimin dhe punën e tij të palodhur dhe i uroi popullit austriak Ditën Kombëtare të Austrisë, raporton rtk.